Description
Hani i Manastirit ëshë i ndërtuar pranë atij të Elbasanit me hyrje nga sheshi kryesor i Pazarit. Nga ana ndërtimore ai përfaqëson një periudhë më të vonë e cila ka sjellë të reja kryesisht teknike dhe në materialet e ndërtimit, megjithëse ka trashëguar skemën e vjetër kompozicionale. Rreth oborrit të brendshëm katror , gjatë katër brinjëve të tij ngrihen ndërtime dykatëshe. Kati përdhe përshkohet nga tre korridore të vendosura përkundrejt njëri-tjetrit. I pari të fut nga sheshi i pazarit në oborr, ndërsa dy të tjerët të nxjerrin nga oborri në pjesën e prapme, ku ishin vendosur ahuret. Kati përdhe përbëhet nga një numër i madh të ndarash, të cilat nxjerrin në oborr dyert dhe dritaret e tyre. Në anën ballore, që del në sheshin e pazarit , ka dyqane.
Në të dy krahët e hyrjes kryesore janë ndërtuar shkallët për në katin e dytë, nga të cilat njëra është prej druri, ndërsa e dyta prej guri. Ato përfundojnë në galerinë që i shkon përreth ndërtesës dhe ndërlidh odat e fjetjes, të rreshtuara gjatë saj.
Galeria është e mbyllur me vitrina të mëdha në tre krahë, të cilat me hapsirat e tyre të mëdha dhe të ndara me kolona të holla druri, e ruajnë përshtypjen e galerise së hapur. Krahu ballor është në një nivel më të lartë nga të tre të tjerët, për ti dhënë lartësi dyqaneve poshtë tij. Ai ka korridorin gjatësor që ndërlidh dhomat, por ruan një trajtim dhe teknikë ndërtimi të ndryshëm nga pjesa tjetër : në oborr dalin dritare në vend të xhamllëqeve, të cilat janë hapur në muraturë tulle. Këto ndryshime dëshmojnë se krahu ballor është rindërtuar në një fazë më të vonëshme.
Përpunimi zbukurimor është i përmbajtur. Pamja nga sheshi i pazarit mban trajtimin e zakonshëm e dyqaneve në katin e poshtëm. Ndërtesa në katin e sipërm është e gjallëruar nga dritaret e shumta dhe një ballkon i dalë në pjesën qendrore me parapet hekuri. Thjeshtësia e trajtimit arkitektonik dekorativ nxjerr mirë në dukje karakterin utilitar të tij, ndërsa niveli i lartë i ndërtimit dëshmon për kategorinë e tij. Një zgjidhje tepër të guximshme nga ana konstruktive dhe me efekte të larta artistike i është dhënë shkallëve prej guri .Bazamakët e saj janë të formuar secili nga një bllok monolit guri të gdhendur, të mbështetur mbi njëri tjetrin, ndërsa anash ngrihet parapeti , i punuar me hekur te rrahur.Këtu janë futur dhe të rejat në në teknikën e ndërtimit. Mbulesat ndërmjet kateve janë realizuar me profile metallike, hapsirat ndërmjet të cilave janë mbushur me qemere të shtrira, të ndërtuara me tulla.
Lartësia maksimale e objektit është 8.5m.
Location
-
JQ9F+8VG Korçë, Albania
Add a review