Description
HISTORIKU
Pazari i Korçës arriti kulmin e fuqisë së tij gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Ndërtimet që kanë mbetur deri në ditët tona nga ky pazar, i përkasin pikërisht kësaj periudhe gjatë së cilës u krye plotësisht rindërtimi i tij sipas kritereve të përparuara urbanistike dhe arkitektonike. Për pamjen fillestare të pazarit të Korçës kemi vetëm të dhëna të tërthorta. Në kodikun e Mitropolisë së Korçës dhe të Selasforit janë regjistruar kronika për tre zjarre të fuqishme, sipas tyre, me 19 qershor të vitit 1822 (i cili u dogj i gjithë), më 12 prill të 1858 natën shpërtheu një zjarr të cilin e bëri pazarin shkrumb e hi. Më 13 gusht 1879, ditën e hënë në orën 1.30 të natës shpërtheu në treg një zjarr i madh i cili beri shkrumb e hi 600 dyqane..... shpëtuan 100 dyqane anës tregut. Këto të dhëna lënë të kuptosh qe materialet e përdorura për ndërtim janë prej druri.
Sot ruhet një pjesë e pazarit të rindërtuar, për shtrirjen e plotë dhe pamjen fillestare mund të gjykojmë mbi bazën e fotove të vjetra dhe mbi bazën e dokumentacionit dhe të dhënave gojore.
Pazari shtrihej në jug perëndim të qytetit , në të dy anët e lumit të Korçës ose të Moravës dhe zgjerohej më shumë në anën e majtë të tij. Të dy pjesët e pazarit lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore qe vinte nga qytetit e kalonte lumin me gurtë me qemerë, sipër të cilës ngriheshin dyqane. Rruga kryesore që përshkonte qytetin mbaronte në Pazar. Në të dy krahët e saj ngriheshin dyqane, punishte dhe hane, vetë pazari ishte i ndarë në dy pjesë, pjesa kryesore dhe pjesa jashtë tij. Funksioni i kësaj të fundit ishte i kufizuar në ditë të caktuar. Në pjesën kryesore qendrën kompozicionale e krijonte një shesh rreth të cilit ngriheshin ndërtimet e pazarit. Në të dy anët e sheshit ndodheshin blloqet dhe punishtet, të cilat së bashku me sheshin krijonin një bërthamë shumë kompakte e që qarkohej nga një unazë gjysmë rrethore e formuar nga ndërtimi i njëpasnjëshëm i haneve, të cilat zënë një vend të rëndësishëm si nëpërmjet ndërtimeve, ashtu edhe në strukturën urbanistike të tij. Pra njësitë prodhuese dhe tregtuese ishin ndarë nga ndërtimet për pushim e bujtje. (ndarja funksionale). Në komplekset e haneve të cilat dilnin përgjithësisht në sheshet e pazarit ose në rrugët kryesore nuk mungonin asnjëherë dyqanet.
PËRSHKRIMI ARKITEKTONIK
Në planin arkitektonik, ndërtimet e pazarit të Korçës dallohen për një unitet të tipareve thelbësore, që shprehen në zbatimin e skemave kompozicionale të njëjta, në përdorimin e metodave, materialeve e teknologjive ndërtimore të qëndrueshme e të përparuara dhe në kërkesën për një trajtim të pasur arkitektonik dhe zbukurimor.
Si rrjedhim i periudhave të ndryshme të ndërtimit, i shtresave të ndryshme të zejtaro-tregetare me fuqi ekonomike dhe shije të ndryshme për Pazarin e Korçës është një karakteristikë dhe një larmi formash e trajtimesh. Në disa nga blloqet e dyqaneve të mbetura del qartë karakteri i përgjithshëm i pazarit të Korçës, rruga e zhvillimit në kohë e koncepteve dhe tipareve kryesore arkitektonike, konstruktive dhe dekorative.
Dyqanet përgjithësisht janë 2 kat, një numër i madh kanë edhe bodrum. Dyqanet janë pajisur me vitrina, ndarje kati përgjithësisht nuk ka, në kënd janë vendosur shkallë të cilat ngjiten në katin e sipër dhe më pas mbyllej me kapak druri. Funksioni i katit të dytë ka qenë i ndryshëm, për magazinë ose punishte, në rastin e parë ka lartësi të vogël dhe ndriçim të pakët, hapësirat e dritareve nuk kanë kapakë më xham , por kapakë metalikë dhe zgara hekuri. Me diferencimin e një shtrese tregtares fillojnë të ndërtojnë dyqane vetëm për shitje, katet e sipërme për punishte ose zyra.
Përveç dyqaneve në pazar kishte edhe një numër të madh furrash, hanesh etj. Numri i haneve ka qenë rreth 16, sot kanë mbetur në këmbë ose të trasnformuara 9 prej tyre, kështu ato quheshin hani i Elbasanit, i Manastirit , i shuleve, i trebickallinjve, i Vithkuqarëve, i Devollit, etj.
Hani i Elbasanit është ngritur në krahun e djathtë të rrugës kryesore që të çonin Pazar. Oborri i brendshëm ka formë trekëndëshe dhe rrethohet nga të gjitha anët me ndërtime, në mes është pusi i zakonshëm. E gjithë pjesa e ballore e katit përdhe nga ana e rrugës është e zënë nga dyqanet dhe hyrja e hanit. Dyqani në të djathtë të hyrjes ngrihet si njësi dykatëshe më vete ndërsa ai në të majtë ka përmasa të mëdha dhe shtrihet vetëm në katin përdhe. Në hanin e Elbasanit dallohen qartë dy faza kryesore ndërtimi që ndryshoj në mënyrë të dukshme nga teknika e ndërtimit, materialet e përdorura dhe trajtimi arkitektonik i katit përdhe. Në krahasim me hanet e tjera, trajtimi i arkitektonik e dekorativ i pamjeve nga oborri është më i pasur.
Hani i Manastirit është i ndërtuar pranë atij të Elbasanit me hyrje nga sheshi kryesor i pazarit. Nga ana ndërtimore ai përfaqëson një periudhë më të vonë e cila ka sjellë të reja kryesisht teknikë dhe në materialet e ndërtimit, megjithëse ka trashëguar skemën e vjetër kompozicionale. Përpunimi zbukurimor është i përmbajtur. Pamja nga sheshi i pazarit mban trajtimin e zakonshëm të dyqaneve në katin e poshtëm ndërsa në katin e sipërm është i gjallëruar nga dritaret e shumta dhe një ballkon i dalë në pjesën qendrore me parapet dekorativ hekuri. Thjeshtësia e trajtimit arkitektonik dekorativ nxjerr mirë në dukje karakterin utilitar të tij. Ndërsa niveli i lartë i ndërtimit dëshmon për kategorinë e tij.
Hani i Gjelit lidhet me sheshin kryesor të pazarit. Sipas teknikës së ndërtimit dhe zbukurimores së përdorur duhet të jetë një ndërtim i fundit të shekullit të XIX. Për sa i përket skemës kompozicionale shkëputet mjaft nga skema tradicionale të haneve të mëparshëm. Ndërtimi i parë dykatësh pamjen kryesore e drejton nga sheshi i pazarit, në katin përdhe janë vendosur dyqanet dhe hyrja. Trajtimi arkitektonik dhe dekorativ shquhet për një përpunim të pasur të pamjes së jashtme, me përkujdesje në përpunimin e detajit arkitektonik.
Zbatimi i kritereve të reja urbanistiko-arkitektonike dhe përdorimi strukturave të reja konstruktive në pazarin e Korçës, u krye me një intensitet dhe dinamikë të tillë sa që në të mund të ndiqet me lehtësi i gjithë përparimi bashkëkohor në teknologjinë e ndërtimit.
Pazari i vjeter perfshin 33 blloqe dyqanesh qe kane rreth 150 dyqane.Nga keto blloqe 6 jane hane:1)Hani i Elbasanit 2)Hani i Manastirit 3)Hani i Gjelit 4)Hani i Oparakeve 5)Hani i Kicos 6)Hani me dy porta. Ndertesat jane nje ansambel arkitekturor te cilat parcelizohen ndermjet tyre nga rruget e shtruara me kalldrem.
Objektet jane 2-kateshe dhe shumica e tyre edhe me bodrum. Ndertesat kane gati nje stil ndertimi. Dritaret jane te gjata dhe te ngushta dhe te veshura me kangjella metalike.
Lartesia mesatare e objekteve te pazarit eshte rreth 8m.
Teknika e Konstruksionit
Në disa dyqane dhe në disa element që i përkasin tipave te ndërtimeve të vjetër të lejojnë të kuptosh konstruksionin e këtyre ndërtimeve. Në pazarin e vjetër duhet të kenë mbizotëruar dyqanet 1 kat të ndërtuara të ndërtuara varg njëri pas tjetri . Muratura duhet të ketë qenë prej guri lidhur me baltë me breza druri. Faqja ballore ishte e hapur nga vitrina të mëdha të cilat mbroheshin nga jashtë nga qepena prej dërrase që kur mbylleshin mbaheshin nga një tirandë hekuri të fiksuar në binarët ndarës të vitrinave. Nuk mungonin dyqanet përdhese të ndërtuara me teknikën e çatmasë.
Mbrojtja nga zjarret e shpeshta dhe tërmetet janë marrë parasysh në rindërtimin e pazarit. Ndryshe nga materialet tradicionale gur, dru, lidhës argjile, breza druri , u përdorën gjerësisht materiale të qëndrueshme gur i gdhendur , tullat, hekur lidhësit me llaç gëlqere. Me gurë janë ndërtuar kryesisht katet e poshtme , por nganjëherë e gjithë ndërtesa. Përdorimi i tullës në muraturë në e gjejmë në dyqanin më të vjetër e të datuar me 1875. Në strukturat konstruktive të gjitha njësive të tjera tulla do të jetë material i përhershëm. Përdorimi i kanateve dhe qepenave metalike në dyer dritare e vitrina krahas mbrojtjes së dyqanit ishte dhe një masë mbrojtje nga zjarri. Kundër zjarrit u morën dhe masa të tjera konstruktive si ndërtimi i kallkanëve nën çati , njësitë ndahen nga njëra tjetra me mur tulle.
Për sa i përket teknikës së ndërtimit, në hanet gjejmë të zbatuara për një kohë të gjatë, teknikën me çatma, sidomos në pamjet ballore të tyre, kjo teknikë së bashku me elemente të tjera arkitektonike si: dritaret, galeritë hapur, strehë, etje, takohen rëndomë edhe në banesa të vjetra të qytetit.
Location
-
JQ9F+5P7 Korçë, Albania
Add a review